|

TELEKUIZI - Emision i drejtpërdrejtë i diturisë, i cili shfaqet çdo të hënë, të martë dhe të mërkurë në RTK, sajohet nga www.fjalekryqi.com.

RADIO ENIGMA - Emision i drejtpërdrejtë i diturisë dhe zbavitjes, i cili shfaqet çdo të diel prej orës 00:00 - 02:00, sajohet nga www.fjalekryqi.com, me moderator shoumenin Mentor Mripa.

Faqja e enigmatikës në LAJM sajohet nga www.fjalekryqi.com. |
|
Teori e enigmatikës
Emrat e perveçëm në enigmatikë
Shkruan: Driton Sejdiu
Emrat e përveçëm në gjuhën shqipe, ashtu edhe si në gjithë gjuhët e tjera janë fjalë që emërtojnë një qenie a një send të veçantë, duke e dalluar nga qeniet a nga sendet e të njëjtit lloj dhe pa shprehur ndonjë lidhje ndërmjet qenies a sendit të veçantë e kuptimit të përgjithshëm që ka a mund të ketë pasur fjala emërtuese ose togfjalëshi emërtues.
Emra të përveçëm janë:
- Emrat dhe mbiemrat e njerëzve, pseudonimet: Naim Frashëri, Adem Jashari, Gjergj Kastrioti, Asdreni, Migjeni etj.;
- Emrat e kafshëve: Laro, Balo, Murro etj.;
- Emrat gjeografikë të kontinenteve, të shteteve, të krahinave, të maleve, të lumenjve, të qyteteve, të rrugëve, të shesheve, të oqeaneve, te deteve etj.: Shqipëria, Kosova, Korabi, Drini, Struga, rruga “Fan Noli”, sheshi “Nëna Tereze”, Azia, Paqësori, Adriatiku etj.;
- Emrat e periudhave dhe të ngjarjeve historike: Mesjeta, Rilindja, Kongresi i Lushnjës etj.;
- Emrat e institucioneve, te organizatave e shoqatave: Presidenca, Parlamenti i Republikës, Ministria e Punëve të Brendshme, Instituti Albanologjik, Shoqata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së etj.;
- Titujt e veprave, të revistave e të gazetave: “Lahuta e malcisë”, “Rilindja” etj.;
Në enigmatikë, e sidomos në fjalëkryqe, por edhe në lloje të tjera të enigmave, si në piramida, anagramore e në enigma të tjera ku duhet të shkruhet përgjigjja e pyetjes, me emrat e përveçëm duhet pasur kujdes të veçantë. Gjatë përpilimit të fjalëkryqit ose të llojeve të tjera që u përmendën, vëmendje e shtuar duhet kushtuar shumicës prej këtyre emrave që të shtrohen në trajtën e shquar.
Pa asnjë përjashtim, emrat e personaliteve, emra që shënojnë periudha a ngjarje historike, si dhe ata që shënojnë institucione, tituj veprash a diçka të ngjashme duhet të shkruhen në trajtën e shquar, e assesi në të pashquarën, si: Lorik Cana, Rilindja Kombëtare (jo Rilindje Kombëtare), Universiteti i Prishtinës (jo Universitet i Prishtinës), gazeta “Rilindja” (jo gazeta “Rilindje”) etj.
Në këtë radhë, duhet shkruar, gjatë përpilimit, në trajtën e shquar edhe disa toponime, si: Kodra e Diellit (jo Kodër e Diellit), si dhe të gjithë emrat zyrtarë të shteteve: Republika e Kosovës (jo Republikë e Kosovës).
Norma e gjuhës standarde shqipe thotë se emrat e përveçëm të njerëzve dhe të vendeve të huaja duhet të shkruhen sipas shqiptimit që kanë në gjuhën prej nga janë marrë: Shekspiri (jo Shakespeare), Nju-Jorku (jo New York), Bregu i Fildishtë (jo Cote d-Voire) etj. Ndër arsyet e shumëta që kjo normë duhet zbatuar patjetër edhe në enigmatikë, është edhe fakti se shkronjat duhet “kryqëzuar” nëpër enigma, dhe nuk ka mundësi që të kryqëzohen shkronja të ndryshme që shqipja nuk i ka, si: W, Ch, Ph etj.
Edhe emrat e figurave mitologjike është e parapëlqyeshme që të shkruhen në trajtën e shquar, por natyrisht që ata lejohet që të shkruhen edhe në të pashquarën: zana - zanë, ora e maleve – orë e maleve etj. Por, ka disa emra figurash ose personazhesh mitologjike që janë emra të përveçëm dhe tek ta gjithnjë duhet zbatuar trajta e shquar: Jupiteri, Zeusi, Afrodita, Ikari. Këta emra po të shkruhen në të pashquarën do të ishte sikur të shkruheshin mbiemrat e njerëzve në të pashquarën: Zahir Pajazit, Uiliem Shekspir, Ajbert Ajnshtajn etj.
Ani pse në gjuhën e folur, disa mbiemra të personaliteteve shqiptare rishquhen ose thënë më mirë shquhen, në gjuhën e shkruar nuk mund të shquhen, pra e as të sajohen enigmat mbi këtë bazë: Kadare (jo Kadareja), Tare (jo Tareja), Nëna Tereze (jo Tereza) etj.
Kur bëhet fjalë për përshkrimin e fjalëve apo shtrimin e pyetjeve, te shumica e emrave të përveçëm duhet shtruar edhe pyetja në trajtën e shquar: Kryeqyteti i Republikës së Kosovës (Prishtina); Emri i shkrimtarit, Pashku (Anton); Mbiemri i boksierit, Muhamed (Aliu); dhe jo: Kreyqytet i Republikës së Kosovës (Prishtinë); Emër i shkrimtarit, Pashku (Anton). Në rast se, emri është i dhënë në trajtën e pashquar, atëherë patjetër në pyetje duhet dhënë shpjegimi në kllapa që tregon se përgjigjja është e dhënë në trajtën e pashquar si: Kryeqyteti i Republikës së Kosovës (pashq.). Në rastet kur autori i enigmës dëshiron që mos ta përcaktojë se është kryeqytet dhe ta lërë më të përgjithshme pyetjen, atëherë lejohet që pyetje të shtrohet në trajtën e pashquar: Qytet në Republikën e Kosovës, ose thjesht: Qytet shqiptar apo edhe Qytet yni.
Nuk mund të shtrohen pyetjet në trajtën e pashquar për emrat e përveçëm që emërtojnë figura mitologjike: Fluturues i parë mitologjik (Ikar). Më herët u tha se, lloje të këtyre emrave duhet shtruar gjithmonë në trajtën e shquar. Nuk arsyetohet në këso raste edhe forma e shtrimit të pyetjes si: Fluturuesi i parë mitologjik, me shpjegimin në kllapa se emri është i dhënë në trajtën e pashquar. Në asnjë rast nuk praktikohet sajimi i enigmave me të pashquarën e këtyre llojeve të emrave, dhe rrjedhimisht as pyetja nuk mund të shtrohen në të pashquarën.
Ka raste kur një toponim (emër vendi) është emërtuar në bazë të një personaliteti, dhe në këso raste lejohet që të formohet e pashquara: qyteti Bajram Curr (nga heroi Bajram Curri) etj.
|
|