KAMPIONATI I ENIGMAVE NË PËRVJETORIN E PAVARËSISË

Në mbledhjen e fundit të Bordit të FEK-ut, që u mbajt më 17 janar 2009 në Prishtinë, u morën disa vendime të rëndësishme për veprimtarinë e mëtejme: u formuan tri komisione të përhershme (Komisioni për Licencim dhe Kategorizim, Komisioni i Garave dhe Komisioni për Vlerësim). si dhe u mor vendimi për organizimin e Kampionatit të Enigmave, që do të mbahet me rastin e përvjetorit të parë të Pavarësisë së Kosovës dhe do të organizohet nga FEK-u dhe Sh.B. “Enigmapress”, së cilës i përket edhe Portali www.fjalekryqi.com.

Komisioni për Licencim dhe Kategorizim u formua pas miratimit në parim të Rregullores për Licencim dhe Kategorizim , të hartuar nga trupi punues i përbërë nga Xhelal Abrashi, Xhelal Selmani dhe Agim Metbala, të cilëve bordi i FEK-ut u shprehu falënderim dhe mirënjohje të veçantë për punën e bërë. Komisioni për Licencim dhe Kategorizim përbëhet nga Gëzim Gjini, Xhelal Abrashi dhe Zijadin Hasani, në bazë të kritereve dhe mënyrave të parapara me rregullore do të bëjë licencimin dhe kategorizimin e enigmatëve kosovarë, anëtarë të Federatës. Bordi i FEK-ut është i bindur se aplikimi i licencimit dhe kategorizimit do t’i kontribuojë zhvillimit të mëtutjeshëm i cilësisë së enigmatikës kosovare.
Komisioni i Garave përbëhet nga pesë anëtarë: Skender Tullumi, Arbënor Pozhegu, Driton Sejdiu, Xhelal Abrashi dhe Rexhep Hasani. Në kompetencë të këtij komisioni do të jetë hartimi i Rregullores së garave, hartimi i kalendarëve vjetorë të garave dhe organizimi i tyre, ndërsa Komisioni për Vlerësim, që përbëhet nga pesë anëtarë: Xhevat Ruhani, Riza Berbatovci, Agim Metbala, Driton Sejdiu dhe Mustafë Statovci, do të hartojë rregulloren e punës së vet dhe në fund të çdo viti, pas procesit vlerësues, do të shpallë punimet më të mira enigmatike të botuara brenda vitit përkatës.

KAMPIONATI I ENIGMAVE

Vendimi i organizimit të Kampionatit të Enigmave u mor në bazë të propozimit të Shtëpisë Botuese “Enigmapress”. Sipas propozimit, kampionati do të mbahet në përvjetorin e parë të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Gjatë ditëve të ardhshme do të bëhet e ditur edhe forma e pjesëmarrjes dhe të gjitha detajet e tjera që kanë të bëjnë me këtë kampionat.

Në mbledhje u shqyrtua edhe mundësia e hapjes së faqes elektronike zyrtare të Federatës së Enigmatëve të Kosovës.

(17 janar 2009)

BORDI

Mustafë Statovci (kryetar), Zijadin Hasani (nënkryetar), Xhelal Abrashi (nënkryetar), Driton Sejdiu (sekretar), Nevahi Rexhepi (arkëtar), Gëzim Gjini, Skender Tullumi, Arbënor Pozhegu, Agim Metbala, Xhelal Selmani, Fehmi Hoxha (mungon në këtë foto).

 

FEDERATA E ENIGMATËVE TË KOSOVËS

STATUTI

i Federatës së Enigmatëve të Kosovës 


Ky statut do të të qeveris shoqatën joprofitabile Federata e Enigmatëve të Kosovës, të themeluar në pajtim me Rregulloren numër 1999/22 të Administratës së Përkohshme të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Neni 1 – Emri, forma dhe adresa

 
    1. Organizata do të quhet Federata e Enigmatëve të Kosovës.
    2. Ajo mund të njihet edhe si FEK.
    3. Federata e Enigmatëve të Kosovës (më tutje: Federata, ose FEK) është shoqatë joprofitabile, sipas definimit të dhënë në paragrafin 2.2 të Rregullores së UNMIK-ut numër 1999/22
    4. Federata nuk do të bëjë shpërndarjen e çfarëdo fitimi neto ose të profitit si të tillë për asnjë individ. Pasuria, të ardhurat dhe profiti i Federatës do të përdoren për të mbështetur qëllimet joprofitabile të Federatës dhe nuk do të përdoren për të krijuar beneficione të veçanta individuale, qoftë në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo indirekte për asnjërin nga themeluesit, kryetarin, nëpunësin, ndonjë anëtar të Federatës, ndonjë të punësuar apo donator të OJQ-së. Megjithatë pagesa e kompensimit të arsyeshëm për këta persona mund të bëhet për punën që këta persona kanë bërë për këtë federatë.
    5. Ndonjë transakcion në mes të anëtarëve, anëtarëve të Kryesisë, personi ose nëpunësi dhe Federatës duhet të mbyllet në vlera reale të tregut ose në kushte që janë më të favorshme për Federatën.
    6. Federata e ka zyrën e saj qendrore në Prishtinë, rr. Bajram Kelmendi nr. 44.

Neni 2 – Themeluesit

 

2.1. Themelues të Federatës së Enigmatëve të Kosovës janë: 

  1. Zijadin Hasani, rr. Hamdi Kurteshi p.n., Gjilan,
  2. Xhelal Abrashi, rr. Sadedin Shehu nr. 5, Gjakovë,
  3. Mustafë Statovci, rr. Bajram Kelmendi nr. 44, Prishtinë.
 

2.2. Përfaqësues i autorizuar i Federatës në Kosovë është Mustafë Statovci, rr. Bajram Kelmendi nr. 44, Prishtinë.

2.3. Përfaqësuesi i autorizuar emërohet nga Bordi dhe duhet të përfaqësojë Federatën në Kosovë dhe të pranojë të gjitha shkresat zyrtare në emër të Federatës. Ai duhet të jetë përgjegjës për informimin e autoriteteve relevante administrative për çfarëdo ndryshimi në Federatë.

Neni 3 – Qëllimi

 

Organizata është themeluar me qëllim të: 

  • zhvillimit dhe masivizimit të enigmatikës në të gjitha viset e Kosovës,
  • organizimit dhe afrimit i të gjithë individëve, shoqatave dhe asociacioneve që kultivojnë aktivisht enigmatikën,
  • stimulimit të i risive në fushën e enigmatikës,
  • planifikimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve që zhvillohen në Kosovë në lëmin e enigmatikës,
  • organizimit të garave të sajuesëve dhe zgjidhësve të enigmave,
  • organizimit të kongreseve, këshillimeve dhe takimeve të enigmatëve,
  • afirmimit dhe zhvillimit të enigmatikës nëpërmjet publikimeve të llojeve të ndryshme,
  • planifikimit dhe realizimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në lëmin e enigmatikës,
  • inkuadrimit të Federatës në asociacionet ndërkombëtare të enigmatëve dhe pjesëmarrjes në garat ndërkombëtare të kësaj lëmie.
 

Për t’i përmbushur qëllimet e saj, organizata do të ndërmarrë, por nuk do të kufizohet vetëm në to, aktivitetet e poshtëshënuara: 

  • do të themelojë aktive, seksione dhe shoqata lokale dhe rajonale të enigmatëve në mjediset kosovare ku ekzistojnë kushtet për këtë,
  • do të organizojnë kampionate dhe gara të tjera në shkallë vendi nga lëmi i enigmatikës,
  • do të bashkëpunojë me organizmat qeveritarë dhe joqeveritarë, të cilët mund ta ndihmojnë zhvillimin dhe avancimin e enigmatikës në Kosovë,
  • do të botojë libra dhe publikacione të tjera popullarizuese, profesionale dhe shkencore nga lëmi i enigmatikës,
  • do të organizojnë aktivitete të ndryshme që do ta ndihmojë zhvillimin e mëtutjeshëm të enigmatikës në vend.

Neni 4 – Anëtarësimi

 

4.1. Anëtarësimi në Federatë është i hapur për çdo person pa marrë parasysh racën, gjininë, orientimin seksual, shtetësinë, kombësinë, religjionin, moshën ose aftësitë fizike.

4.2. Kuvendi do të vendosë nëse do të kërkohet pagimi i anëtarësimit nga anëtarët. Mospagesa e anëtarësisë, pas paralajmërimit me shkrim, do të shërbejë si bazë për përjashtimin e anëtarit nga Federata.

4.3. Anëtarësimi i ndonjë anëtari gjithashtu mund të përfundojë ose të suspendohet me vendimin e Kuvendit në rast të heqjes dorë nga anëtarësia e mëtutjeshme, ndërrimit të vendbanimit të përhershëm (shpërngulja jashtë Kosovës), keqpërdorimit të mjeteve materiale apo të pasurisë tjetër të FEK apo të anëtarëve të tjerë kolektivë të Federatës (shoqatave, asociacioneve), në rast të çfarëdo keqpërdorimi tjetër (pozitës, autorizimeve) dhe në rast të sjelljeve që e dëmtojnë autoritetin e Federatës, apo të anëtarëve të tjerë të saj në opinionin publik. Në rast të suspendimit, kohëzgjatja e suspendimit do të përcaktohet.

4.4. Përfundimi ose suspendimi i anëtarësimit nga Kuvendi do të vendoset me shumicë votash të anëtarëve prezentë.

Neni 5 – Kuvendi

 

5.1. Kuvendi është organi më i lartë qeverisës i Federatës. Ai përbëhet nga përfaqësuesit e të gjitha shoqatave dhe asociacioneve të enigmatëve, që kanë statusin e anëtarëve kolektivë dhe individëve të zgjedhur, anëtarë të Federatës.

5.2. Kuvendi ka përgjegjësinë më të lartë për politikën dhe çështjet financiare të Federatës.

5.3. Përpos kompetencave që ka Kuvendi sipas statutit, ai gjithashtu ka edhe këto kompetenca: 

        - t’i zgjedhë anëtarët e Bordit,

        - të zgjedhë kryetarin e Federatës,

      - t’i aprovojë raportet prej zyrtarëve,

        - të aprovojë përvetësimin e pasurisë mbi vlerën e caktuar,

        - të vendosë për lartësinë e anëtarësimit në FEK,

        - të vendosë për çështjet pronësore-juridike të FEK,

        - të vendosë për anëtarësimin apo ndërprerjen e anëtarësimit në FEK,

        - të vendosë për parashtresa e ankesa,

        - të vendosë për kahet, politikat dhe programet zhvillimore të enigmatikës në Kosovë,

        - të vendosë për bashkëpunimin dhe përfaqësimin ndërkombëtar të FEK,

        - të miratojë statutin e FEK dhe ndryshimet e tij,

        - të miratojë rregulloret dhe aktet e tjera të përgjithshme të FEK,

        - t’i miratojë kriteret e vlerësimit të sukseseve në gara,

        - të vendosë për shpërbërjen e FEK.

 

5.4. Kuvendi mund të delegojë ndonjë prej përgjegjësive të tij në Bord ose ndonjë organ tjetër, ose edhe të punësuar të organizatës, me vendimin e shumicës së anëtarëve të tij.

Neni 6 – Mbledhjet e Kuvendit

 

6.1. Kuvendi do të takohet së paku një herë në vit në Mbledhjen e Përgjithshme Vjetore (MPV), ku do të vlerësojë dhe aprovojë mjetet, obligimet, shpenzimet e të hyrave dhe programet për vitet e ardhshme.

6.2. Kuvendi mund të takohet gjithashtu edhe në Mbledhjen e Përgjithshme të Jashtëzakonshme (MPJ) kurdoherë që të kërkohet nga shumica e anëtarëve ose nga Bordi. Një kërkesë e tillë duhet t’i drejtohet Sekretarit, i cili do të lajmërojë për takimin të gjithë anëtarët, në pajtim me procedurat e shpjeguara në paragrafin 6.3.

6.3. Lajmërimi me shkrim për MPV dhe/ose MPJ, duke përfshirë datën dhe vendin e mbajtjes së mbledhjes, së bashku me rendin e ditës për takimin, do t’u shpërndahet të gjithë anëtarëve së paku shtatë ditë para ditës së mbajtjes së mbledhjes.

6.4. Për mbajtjen e mbledhjes më së paku është e nevojshme pjesëmarrja e 50% + 1 e anëtarëve. Nëse ky minimum (kuorumi) nuk arrihet, takimi do të shtyhet për një ditë të përcaktuar më vonë dhe lajmërimi i ri do t’u dërgohet të gjithë anëtarëve.

6.5. Secili delegat i Federatës ka një votë në Kuvend.

6.6. Vendimet në Kuvend do të merren me shumicën e votave të anëtarëve prezentë.

6.7. Secili anëtar i Kuvendit mund të abstenojë nga votimi ose marrja e vendimit për çfarëdo çështjeje për të cilën ai ose ajo ka interes personal ose ekonomik.

Neni 7 – Bordi

 

7.1. Përveç kompetencave të dhëna me këtë statut, Bordi është përgjegjëse për kontrollin dhe udhëheqjen e çështjeve dhe pasurisë së Federatës. Bordi duhet të veprojë çdo herë në pajtim me qëllimin e Federatës.

7.2. Përveç kompetencave të dhëna me këtë statut, Bordi do të ketë gjithashtu edhe këto kompetenca:   

         - Udhëheq në mënyrën më racionale mjetet dhe pasurinë e FEK,

         - zbaton konkluzionet dhe vendimet e Kuvendit,

         - përgatit mbledhjet e Kuvendit,

         - zgjedh nënkryetarët, sekretarin dhe arkëtarin e FEK,

         - zgjedh Këshillin mbikëqyrës të FEK,

         - zgjedh trupat punues të Bordit të FEK (komisionet),

         - propozon anëtarët e rinj për pranim në FEK,

         - organizon punët vijuese dhe të ardhshme të FEK,

         - përfaqëson Federatën dhe vepron në emër të saj,

         - emëron dhe zgjedhë përfaqësues, si dhe përcakton kompetencat dhe detyrat e tyre,

         - lidhë kontrata e marrëveshje,

         - realizon kompetencat dhe përgjegjësitë, që ia delegon Kuvendi. 

7.3. Bordi zgjedhet nga anëtarët e Federatës. Anëtarët e Bordit dhe kryetari do të zgjedhen individualisht nga Kuvendi me shumicë votash të anëtarëve të pranishëm.

Anëtari i Bordit zgjedhet për kohëzgjatje prej katër vitesh dhe do të ushtrojë detyrën deri në zgjedhjen e anëtarit të ri.

Mandati apo kontrata e punës mund të pushojë: në rast vdekjeje, dorëheqjeje ose shkarkimi nga detyra.

7.4. Bordi do të ketë 11 (njëmbëdhjetë) anëtarë: Kryetarin, dy nënkryetarë, sekretarin, arkatarin dhe 6 (gjashtë) anëtarë të tjerë.

7.5. Anëtarët e Bordit mund të zgjedhen për mandate të njëpasnjëshme.

7.6. Anëtarët e Bordit mund të shkarkohen para përfundimit të mandatit me votat e MPV-së dhe MPJ-së të Kuvendit.

7.7. Në rast të vdekjes, dorëheqjes ose shkarkimit të anëtarit të Bordit, Kuvendi duhet të zgjedhë pasardhësin për të shërbyer për kohën e mbetur.

7.8. Vendimet në Bord merren me shumicë.

7.9. Bordi mund të vendosë t’i drejtohet për çfarëdo çështje Kuvendit për marrje të vendimit.

7.10. Kurrëfarë pagese ose kompensimi nuk duhet t’u bëhet anëtarëve të Bordit pa aprovimin e Kuvendit dhe vetëm kur pagesa ose kompensimi është i arsyeshëm dhe bëhet për punën e kryer për Federatë.

7.11. Secili anëtar i Bordit mund të abstenojë nga votimi për marrjen e vendimeve, ose për çfarëdo çështjeje tjetër për të cilën ai ose ajo ka interes personal ose ekonomik.

Neni 8 – Zyrtarët dhe nëpunësit

 

8.1. Në rast nevojë, Bordi do të emërojë zyrtarë ose të pranojë persona që të marrin përsipër kryerjen e detyrave ditore të Federatës. Kohëzgjatja e punësimit të tyre duhet të caktohet nga Bordi, i cili duhet të informojë Kuvendin për emërime të tilla.

8.2. Zyrtarët duhet të punësohen përmes marrëveshjes së shkruar, e cila detajizon të gjitha të ardhurat dhe të mirat e tjera që duhet t’i paguhen zyrtarit. Të gjitha pagesat duhet të jenë të arsyeshme dhe duhet të paguhen vetëm punën e kryer për Federatë.

Neni 9 – Shpërbërja e Federatës

 

9.1. Federata mund të shpërbëhet me vendimin e 2/3 të anëtarëve të Kuvendit.

9.2. Kur të vendosë për  shpërbëjen e Federatës, Kuvendi do të tregojë emrin e shoqatës ose fondacionit që do të marrë pasurinë e mbetur pasi të jetë liruar nga detyrimet e Federatës. Shoqata(t) ose fondacioni(et) e zgjedhura duhet të kenë qëllime të njëjta ose të ngjashme sikurse Federata.

Neni 10 – Ndryshimet e statutit

 

10.1. Statuti i tashëm mund të ndryshohet me vendimin e shumicës së Kuvendit.

Neni 11 – Periudhat e raportimit dhe viti financiar

 

11.1. Bordi dhe zyrtarët e emëruar do të paraqesin raporte vjetore para Kuvendit, MPV ose kurdoherë që të kërkohet nga një MPJ.

11.2. Viti financiar i organizatës do të përputhet me vitin kalendarik. 

Ky statut është aprovuar në Prishtinë,

më 26 prill 2008

nga themeluesit e organizatës.

 

 

FEK: FORMOHET KOMISIONI PËR HARTIMIN E RREGULLORES PËR KATEGORIZIM DHE LICENCIM

31.8.2008

Në mbledhjen e fundit (30.8.2008), Bordi i FEK-ut, nuk arriti të marrë vendim për emblemën e re dhe emëroi Komisionin për Hartimin e Rregullores për Kategorizim dhe Licencim. Xhelal Abrashi, Agim Metbala dhe Xhelal Selmani si dhe sekretari i FEK-ut, janë ata që do ta riformulojnë këtë Rregullore, e cila ka ekzistuar që nga viti 1994. Nevoja e rihartimit të saj u pa e realizueshme unanimisht nga Bordi. Ndërsa, çështja e emblemës mbeti që të zgjatet deri në vendimin e ardhshëm elektronik.

--------------------------------

LETRA E FEK-ut DREJTUAR FEDERATËS BOTËRORE TË ENIGMATIKËS

15.8.2008

Federata e Enigmatëve të Kosovës (Kosova Puzzle Federation) është themeluar në vitin 1994 në rrethana jashtëzakonisht të vështira politike, ekonomike dhe shoqërore, që atëbotë kanë mbretëruar në Kosovë dhe në rrethana të tilla e ka zhvilluar edhe aktivitetin e vet deri në nga mesi i vitit 1999, kur Kosova, pas intervenimit ushtarak ndërkombëtar, është vënë nën administrimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.... më shumë

---------------------------

RAPORTE

1 qershor 2008 

Sot në orën 11:00, në ambientet e hotelit “Grand” u mbajt mbledhja e parë e bordit të Federatës së Enigmatëve të Kosovës, në të cilën morën pjesë: 

  1. Dr. Zijadin Hasani
  2. Xhelal Abrashi
  3. Mustafë Statovci
  4. Xhelal Selmani
  5. Gëzim Gjini
  6. Driton Sejdiu dhe
  7. Nevahi Rexhepi.
  Në mbledhje, të cilën e udhëhoqi M. Statovci, u punua me këtë rend dite: 
  1. Miratimi i raportit nga Kuvendi i FEK,
  2. Kompletimi i organeve të FEK (zgjedhja e dy nënkryetarëve, e sekretarit, arkatarit dhe e Këshillit mbikëqyrës treanëtarësh),
  3. Shqyrtimi i dokumentacionit për regjistrim në MSHP (statuti dhe akti themelues i FEK),
  4. Emërimi i grupit punues për përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për aplikim në FBE (WPF),
  5. Të ndryshme.
 
I.   Raportin për punën e Kuvendit e paraqiti M. Statovci dhe ai u miratua njëzëri pa vërejtje. 

II.   Në kuadër të pikes së dytë u zgjodhën nënkryetarët, sekretari dhe arkatarit i FEK, si dhe Këshilli mbikëqyrës treanëtarësh. Në këto pozita u zgjodhën: 

       Nënkryetarë: Dr. Zijadin Hasani dhe Xhelal Abrashi

       Sekretar:        Driton Sejdiu

       Arkëtar:         Nevahi Rexhepi 

Në Këshillin mbikëqyrës u zgjodhën: 

  1. Shemsedin Kryeziu – kryetar
  2. Ilir Morina – anëtar
  3. Ismajl Gagica – anëtar
 

III.   Gjatë shqytimit të dokumentacionit për regjistrim në Ministrinë e Shërbimeve Publike, përgatitja e të cilin në mbledhjen e Kuvendit më 26 prill iu kishte besuar komisionit në përbërje: Dr. Zijadin Hasani, Xhelal Abrashi dhe Mustafë Statovci, u konstatua se statuti dhe dokumentacionit tjetër ishin përgatitur pa lëshime dhe u mor vendimit që këto dokumente, pasi të jenë përgatitur teknikisht, të paraqiten në MSHP për regjistrim. 

IV.   Kur u fol për përgatitjet lidhur me aplikimin për regjistrim në Federatën Botërore të Enigmatikës, bordi i FEK vendosi që përgatitja e dokumentacionit të nevojshëm t’i besohet grupit punues që kishte punuar edhe në përgatitjen e akteve për regjistrim në MSHP, të përbërë nga: Xhelal Abrashi, Dr. Zijadin Hasani dhe Mustafë Statovci. 

V.   Në kuadër të pikes së fundit të rendit të ditës u shqyrtuan edhe disa çështje të tjera me interes për punën e FEK dhe u morën vendime përkatëse: 

  • u vendos që brenda javës të hartohet projekti për financimin e veprimtarisë së FEK, me theks në krijimin e mundësive për pjesëmarrje në kampionatin botëror të enigmatikës, që do t’i paraqitet Ministrisë së Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Çështjeve Jorezidente;
  • u mor vendimit që me rastin e mbajtjes së kampionatit të Kosovës të nxirret një numër i informatorit (apo buletinit) të FEK, në të cilin do të publikohen informacione të ndryshme nga lëmi i enigmatikës dhe i cili duhet të jetë organ i rregullt i FEK;
  • u bisedua për çështjen e mbrojtjes së autorësisë, së cilës në të ardhmen duhet t’i kushtohet vëmendje meritore;
  • lidhur me kërkesën e G. Gjinit për avancim u vendos që për këtë të merret vendim pasi të jenë shqyrtar kriteret për kategorizim të FEK, në bazë të të cilave janë bërë kategorizimet e deritashme dhe të cilat eventualisht duhet të plotësohen.
 

Në fund, pasi u shprehën një sërë kritikash në llogari të anëtarëve të bordit që pa arsye mungojnë nga mbledhjet, u mor një qëndrim parimor, sipas të cilit si minimum i aktivitetit do të konsiderohet pjesëmarrja e rregullt në mbledhjet e bordit, që do të mundësojë marrjen e vendimeve për punën e mëtutjeshme të FEK dhe për zhvillimin e mëtutjeshëm të enigmatikës në Kosovë. 

M. Statovci