 |
Në planin individual apo pak më shumë se kaq, enigmatika ka shënuar rritje të vëllimit. Përveç revistave që kanë qenë edhe më herët, do theksuar se enigmatika u shtri më shumë tek mediumet elektronike. Si duket, edhe enigmatikën po e përcjell shpejt fati i shumë mediumeve “të shkruara”. Enigmadashësit më lehtë e kanë që pasionin e tyre ta shuajnë në mënyrë sa ma të lehtë dhe me të këndshme. Televizionet, radiot dhe interneti po e sfidojnë shtypin |
Shkruan: Driton Sejdiu
Ndonëse jo me fuqinë e dëshiruar të veprimit, viti 2008 ishte frutdhënës edhe për enigmatikën. Mirëpo, marrë parasysh amullinë e viteve të kaluara në organizim, të shikuarit nga një skaj kohor tjetër, duhet pranuar se 2008-ta ishte dukshëm më e mirë. Që të shihen frutet e sivjetme, nuk ka nevojë të përdoret dioptri e madhe.
Prilli mblodhi tok enigmatët kosovarë pas më më shumë se 12 vjetësh. Federata e Enigmatëve të Kosovës u rimëkëmb. Bile shikuar në rrethanat e reja, ajo rilindi, sepse mezi kishim pritur që ajo të jetë e regjistruar diku në administratën e Republikës së Kosovës.
Në fakt, për këtë riorganizim, në qarqe të ngushta ishte biseduar për vite të tëra, por u bë e mundshme spontanisht. FEK mbajti kuvendin, i cili mblodhi më shumë se 20 enigmatë. Organizimin e bëri www.fjalekryqi.com, dhe në lokalet e Universitetit AAB u zgjodh me koncensus kryetari dhe Bordi 11-anëtarësh. Mustafë Statovci, ish-kryetar i SH.E. “Sfinksi” nga Prishtina u emërua kryetar, ndërsa pas pak kohësh u mbajt edhe mbledhja e parë e Bordit.
Në ditët e para sikur kishte një fije optimizmi për riorganizimin me elanin e viteve 1994-1995, por nuk u desh shumë kohë që të kuptohej se një gjë e tillë ishte pothuajse më shumë vetëm dëshirë sesa e mundshme.
Duhet përmendur faktin se në kuvendin e prillit ishim ngutur pak. Bordi më mirë do të ishte që të kishte më pak anëtarë, ngase kuorumi është vështirë të mblidhet dhe mbledhjet janë të pavlera. Në një farë mënyre, kjo mund të arsyetohet me angazhimin e shtuar të anëtarëve të tij, por rëndësia që FEK të veprojë pa u ndalur është e rëndësisë jetike.
Në fakt, Bordi akoma nuk ka arritur të marrë vendime të planifikuara. Duke u nisur nga ato formalet, deri te ato që kanë të bëjnë me organizimin e enigmatëve. Do përjashtuar këtu regjistrimin e FEK-ut dhe aplikimin në Federatën Botërore të Enigmave, gjë e cila u kthye mbrapsht më shumë për arsye politike.
Në planin individual apo pak më shumë se kaq, enigmatika ka shënuar rritje të vëllimit. Përveç revistave që kanë qenë edhe më herët, do theksuar se enigmatika u shtri më shumë tek mediumet elektronike. Si duket, edhe enigmatikën po e përcjell shpejt fati i shumë mediumeve “të shkruara”. Enigmadashësit më lehtë e kanë që pasionin e tyre ta shuajnë në mënyrë sa ma të lehtë dhe me të këndshme. Televizionet, radiot dhe interneti po e sfidojnë shtypin. RTK në fund të 2008-ës u bë me tri kuize: “Telekuizi”, “Oxygen Show” dhe së voni edhe “Milioneri” i famshëm. Edhe KTV vazhdoi me emisionet e Xhelal Abrashit.
Në verën e 2008-ës lindi kuizi “Oxygen Show” me autorë Besim Dinën dhe Arbnor Pozhegun. Me disa modifikime të formës së garës, “Oxygeni” la të kuptohet se është një kuiz i nivelit të lartë, ani pse me qëllim, autori ka konceptuar një relaks më të tepruar në garë. Sido që të jetë, Dina e Pozhegu kanë arritur që qëllimin e kuizit ta dërgojnë në vend – shikuesi mëson nga ky emision.
“Kush do të bëhet milioner” – kuizi i famshëm në botë u prit me padurim ndër shqiptarët. Me mundësi që të garohet nga dy shtete, Shqipëria e Kosova, “Milioneri” u vendos në shtetin e tretë – Maqedoni. Ani pse është herët për vlerësimin real të tij, nëse “Dita e mirë shihet në mëngjes”, për fat të keq, “Milioneri” mëngjesin e ka të vranët. Së paku kështu ka filluar të shkruajë shtypi i Kosovës. Manipulimet, organizimi jo i mirë dhe më e rëndësishmja, një shtrim konfuz i pyetjeve e bën “Milionerin” jo në nivelin e shteteve të tjera që jemi mësuar ta shohim.
Një pjesë e rëndësishme e kuizeve është klasifikimi i pjesëmarrësve, dhe këtu “Milioneri” sikur ka çaluar paksa.
“7 për 7000”, kuiz i ri, I cili shfaqet në “Top Channel” filloi sivjet në botën shqiptare televizive. Me studio impresionuese, “7 për 7000” në konceptin e garës është kuiz irritues. “Super fëmijët” kanë fituar në të shumtën e emisioneve të deritashme, dhe edhe kur “të rriturit” ndonjëherë kanë qenë fitues, asnjëherë deri tani nuk i janë afruar shumës së shpërblimit prej 7000 eurosh. Tjetra, që është çështja më e ndjeshme në një garë, forma aq e lartë e ekipit garues “Super fëmijëve” të lë vend për të dyshuar. Edhe tek pyetjet e këtij kuizi ka pasur, herë pas here, gabime në fakte.
Interneti si formë që secilën ditë po e pushton edhe Shqiptarinë, përveç www.fjalekryqi.com nuk ka ofruar shumë mundësi të enigmatikës. Sporadikisht, ka ndonjë kuiz, aty-këtu edhe fjalëkryqe, por shikuar mundësinë e madhe që ofron në botim, varfëria e enigmave shqipe në internet është e pashpjegueshme.
Portali i vetëm (edhe në vitin 2008) i enigmatikës shqiptare www.fjalekryqi.com është rritur shumë. Jo vetëm në ofertën që i ka bërë surfuesve të internetit, por edhe në organizimin e enigmatëve. Para një viti, www.fjalekryqi.com ishte faqja e 13-miliontë në renditjen botërore, ndërsa këtyre ditëve, ka hyrë në mesin e 10 % të faqeve më të vizituara në botë. Një e arritur tjetër e www.fjalekryqi.com është edhe regjistrimi në faqen e enigmatit më të njohur në botë, autorit të fjalëkryqit të “New York Times”, z. Will Shortz.
Në pranverë, www.fjalekryqi.com arriti ta prodhojë edhe emisionin radiofonik “Radio Enigma”, të cilin e transmeton radioja më e madhe shqiptare në botë “Radio Kosova”.
E arrritura më e madhe e www.fjalekryqi.com është shtimi i bashkëpunëtorëve. Tashmë, në faqen tonë frekuentojmë më shumë se 20 emra enigmatësh.
Në aspektin e vlerësimit të enigmave në shtypin ditor dhe periodik, nuk ka ndonjë ndryshim. Një vlerësim që dhanë vizitorët e www.fjalekryqi.com, nga anketa se, “Fjalëkryqi i cilës gazetë u pëlqen më shumë?”, del se “Koha Ditore” ka fjalëkryqin më të mirë. Kur të analizohet rezultati, atëherë dhe nuk duhet të çuditemi shumë, sepse “Koha Ditore” mbetet gazeta më e shitur, dhe rrjedhimisht edhe ata që kanë votuar, kanë votuar për fjalëkryqin e saj. Të rrallë janë ata që kanë rastin ta kenë në duar më shumë se një gazetë. Por, vërtet, fjalëkryqi i kësaj gazete është tmerrësisht i dobët, si nga rregullat e sajimit, ashtu edhe nga aspekti i qëllimit që ka fjalëkryqi – ngritjen e dijes së lexuesit.
Raste që zhgënjejnë janë edhe fjalëkryqet e “Kosova Sot”, “Inforpress” dhe “Epoka e Re”.
Kur thuhen të metat e enigmave të shtypit, rendi e do që të thuhen edhe anët e mira të saj. Gazetat si “Bota Sot”. “Zëri” dhe “Lajm” kanë fjalëkryqe të mira dhe që përmbushin kriteret e duhura.
Edhe shtypi periodik nuk ka shënuar lëvizje gjatë vitit 2008. Disa prej tyre, akoma nuk kanë arritur që të botojnë fjalëkryqe të hairit. Këtu do përmendur me keqardhje kolegët nga Maqedonia dhe ata nga Presheva. Mirëpo, edhe të tjerat, nuk kanë shënuar ndonjë punim tjetër përveç fjalëkryqeve, gjë e cila është për t’u çortuar.
Pra, siç thamë në fillim, enigmatika jonë ka shënuar rritje në dukshme në 2008-ën!
Urime 2009-ta! Gëzuar!
|