LETRA E FEK-ut DREJTUAR FEDERATËS BOTËRORE TË ENIGMATIKËS
I nderuar kryesues Mr. Koudelka,
i nderuar Sekretar Gjeneral, Mr. Ritmeester,
të nderuar anëtarë të Boardit të Drejtorëve të FBE,
Federata e Enigmatëve të Kosovës (Kosova Puzzle Federation) është themeluar në vitin 1994 në rrethana jashtëzakonisht të vështira politike, ekonomike dhe shoqërore, që atëbotë kanë mbretëruar në Kosovë dhe në rrethana të tilla e ka zhvilluar edhe aktivitetin e vet deri në nga mesi i vitit 1999, kur Kosova, pas intervenimit ushtarak ndërkombëtar, është vënë nën administrimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Nga ajo kohë, në rrethana të reja, Federata e Enigmatëve të Kosovës ka vazhduar ta zhvillojë aktivitetin e vet, të ndërprerë për disa kohë, ndërsa pas 17 Shkurtit 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, Federata e Enigmatëve të Kosovës u reorganizua mbi normat e reja ligjore, kështu që tash vepron si subjekt juridik i mvetësishëm, zyrtarisht i regjistruar në institucionet përkatëse shtetërore të Kosovës.
Gjatë gjithë kohës së veprimtarisë së vet, Federata e Enigmatëve të Kosovës ka organizuar kampionatet e Kosovës dhe gara të tjera, ndërsa ka marrë pjesë edhe në garat e mbajtura në vendet e tjera, ku ka shënuar paraqitje relativisht të suksesshme. Përveç kësaj, enigmatët e Kosovës kanë marrë pjesë në disa kampionate në cilësi të ekipeve të Kombeve të Bashkuara ose të Unionit Evropian, si në Kroaci, Turqi, Hungari, Finlandë, Holandë etj.
Mirëpo, që nga themelimi, Federata e Enigmatëve e Kosovës ka synuar anëtarësimin në Federatën Botërore të Enigmatikës, e rezultat i këtij synimi është edhe kjo letër, nëpërmjet së cilës aplikojmë për anëtarësim në WPF. Njëkohësisht, me mirësi ju lusim nëse mund të na njoftoni për dokumentacionin që eventualisht duhet ta paraqesim për anëtarësim, për obligimet materiale (pagesën e anëtarësimit etj.) që duhet t’i kryejmë me këtë rast, si dhe për mënyrën se si duhet t’i përmbushim këto obligime.
Duke ju siguruar se anëtarësimi i Kosovës në WPF do të jetë një stimuls i fuqishëm për zhvillimin e mëtutjeshëm dhe ngritjen e mëtejme cilësore të saj në Kosovë, ju përshëndes sinqerisht.
Mustafë STATOVCI, prof. phil.
kryesues i Federatës së Enigmatëve të Kosovës |