

|
BIOGRAFIA E SHKURTËR E
AGIM METBALËS
U lind më 1953 në Rahovec. Shkollën fillore dhe atë të mesme- gjimnazin, drejtimin e pëgjithshëm, i kreu në vendlindje, studioi dhe u diplomua pranë Fakultetit Juridik në Universitetin e Kosovës, më 1976. Aty i vazhdoi edhe studimet pasuniversitare.
Agim Metbala, ka kryer disa detyra në nivel të komunës, kurse tash e kryen detyrën gjyqtarit, në Gjykatën Komunale të Rahovecit.
Me shkrime, ka filluar të merret qysh kur ishte nxënës i klasës së katërt të shkollës fillore dhe tash e 34 vjet më parë, bashkëpuoi me të gjitha revistat letrare dhe gazetat ditore, që botohen në gjuhën shqipe, në të gjitha trojet shqiptare.
Krahas shkrimeve për fëmijë, ai shkruan poezi edhe për të rritur dhe merret me enigmatikë, por merret edhe me mbledhjen e materialit folklorik.
Agim Metbala ka merita të mëdha në zhvillimin dhe përhapjen e letërsisë për fëmijë dhe të enigmatikës në komunën e Rahovecit. Është iniciator për themelimin e Shoqatës së Enigmatëve “Labirinti” në Rahovec, e cila është themeluar më 1985 (e dyta në Kosovë), ku ka ushtruar detyrën e kryetarit të parë të kësaj Shoqate. Ka marrë pjesë dy herë në garat Federative të enigmatëve në ish-Jugosllavi, dhe ate në Lipik (Kroaci) dhe Sarejëvë (Bosnjë), por edhe në shumicën e takimeve dhe garat e enigmatëve të Kosovës.
Me iniciativën e tij, menjëherë pas themelimit të Shoqatës, ka filluar të botohet revista letrare për fëmijë “Filizat”, të cilën e ka udhëhequr, e udhëheq dhe e financon edhe sot.
Për nder të 10-vjetorit të veprimit të Shoqatës, me mjete të veta dhe me punime të përzgjedhura për fëmijë, me disa kolegë, ka botuar përmbledhjen “Si duket babi im” e për nderë të 20-vjetorit të veprimit të Shoqatës, përsëri me disa koautorë, ka botuar përmbledhjen me vjersha e tregime “Pranvera në shkurt.
Pos revistës letrare për fëmijë “Filizat”, boton edhe revistën letrare për të rritur (formë libri), me autorë rahovecianë, “Jehonë Anadrinie”.
Sa ka merita për përhapjen e letërsisë për të rritur dhe për fëmijë, po aq merita ka për përhapjen e enigmatikës, si në komunën e Rahovecit, ashtu edhe në nivel të Kosovës. Ai botoi disa numra të revistës enigmatiko-zbavitëse me po të njëjtin emër, “Filizat” (të cilën një kohë pastaj e kanë botuar enigmatët e Shoqatës së Enigmatëve “Drita” nga Gjakova), ndërsa pas çlirimit, sërish ka startuar me botimin e “Filizave” enigmatike 55 dhe 100 faqëshe.
Ka botuar përmbledhjen me vjersha, tregime dhe drama njëaktëshe për fëmijë “Grindja e fjalëve”, “ përmbledhjen me rrëfenjëza “Deti në shtëpi” si dhe përmbledhjen poetike “Kohë qirinjsh”
Ka të përgatitur për botim librim me krijues rahovecianë – “Shtigjet rahovecase”, një libër me aforizma, përmbledhjen me vjersha e tregime për fëmijë dhe një libër me anagrame, por për shkak të mungesës së mjeteve materiale, kanë mbetur në pritje. |